Home Blog Page 21

QSUT pa drita pas blackout-it! Shefi i reaminacionit: Zhvendosëm 10 pacientë, pajisjet funksionojnë me back up! Ende pikëpyetje përse nuk u aktivizua gjeneratori

0

Mbrëmjen e djeshme gjysma e Tiranës mbeti pa energji elektrike për gati 90 minuta pas një defekti në një shtyllë elektrike, që preku disa prej zonave më kryesore në kryeqytet. Ajo çfarë e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se një pavijon në QSUT, ku përfshihet edhe Reanimacioni, mbeti përkohësisht pa energji elektrike. Pikëpyetje ngrihen akoma se përse sistemet rezervë UPS dhe Gjeneratori, nuk u ndezën menjëherë, por ky pavijon mbeti përkohësisht pa drita dhe ende nuk ka asnjë sqarim nga spitali.

Ditën e sotme shefi i shërbimit të Reaminacionit Krenar Lilaj në një komunikim për mediat ka sqaruar se ndërprerja e energjisë elektrike nuk ka shkaktuar asnjë komplikacion në trajtimin e pacientëve. Lilaj sqaron se u bë zhvendosja e 10 pacientëve me nevojë për asistencë respiratorë pasi pavarësisht se këto pajisje funksionojnë me energji back up, nuk kishte dijeni se kur mund të rikthehej energjia elektrike. Lilaj refuzoi të përgjigjej për mosfunksionimin e gjeneratorëve.

“Ndërprerja a e energjisë zgjati disa minuta, nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar, në këto kushte për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve aspiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar”, tha Lilaj.

Doktor Lilaj gjithashtu sqaron se gjendja e të burgosurit Nihal Mërkuri, i cili ndërroi jetë në reminacionin e kirurgjisë, ishte shumë e rëndë që prej mbërritjes së tij në spital dhe se vdekja e tij nuk ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në godinë.

“Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën e diele pasdite. Ka pasur cirroza hepatike dhe ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta 4:13 minuta”, tha Lilaj.

Në një deklaratë mbrëmjen e djeshme ishte vetë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që në një deklaratë për mediat pranoi se ndërprerja e energjisë elektrike ishte e përkohshme, por pa dhënë detaje se sa kohë mbeti pa drita Reanimacioni, një pavijon i një rëndësie tejet të veçantë ku ndodhen pacientë që luftojnë për jetën.

“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, deklaroi QSUT për mediat.

Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe OST pas rregullimit të defektit, ku nuk specifikoi se për sa kohë mbeti pa drita Reanimacioni i QSUT-së, por deklaroi se “institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash.”

Pas kërkimeve të redaksisë sonë, prej shtatorit 2025 nuk rezulton asnjë tenderi i ri për mirëmbajtjen e gjeneratorit. Tenderi i fundit nga QSUT për mirëmbajtjen e gjeneratorit është hapur në vitin 2023 dhe ka mbaruar në 2025-ën dhe nga ku moment nuk dihet nëse është hapur tender i ri.

Në Reanimacionin e QSUT-së ndodhej i shtruar i burgosuri Mihal Mërkuri, i cili sipas spitalit ka humbur jetën sot në mëngjes pas një arresti kardiak dhe hemorragjie.

Shqipëria në Bordin e Paqes, kryeministri Rama i përgjigjet Trump: Privilegj dhe nder të kontribuoj në këtë përpjekje

0

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka njoftuar se ka pranuar ftesën e Presidentit amerikan Donald  Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

Në një letër dërguar presidentit, Rama thekson rëndësinë e veprimit konkret për paqen në kohë krize dhe shpreh gatishmërinë e tij për të kontribuar personalisht, si dhe në emër të Shqipërisë, në këtë iniciativë ndërkombëtare.

Angazhimi i tij pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

“Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim”, shkruan Rama.

Letra drejtuar Presidentit Donald Trump .

Republika e Shqipërisë Kryeministri Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Washington, DC

I nderuar Zoti President, Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese. Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë.

Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente. Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global. Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale. Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim. Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare. Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global. Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt, Edi Rama

33 mln lekë dëm me tenderët, SPAK mbyll hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

0

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi i marrë i pandehur për shpërdorim detyre. Roshi u paraqit sot në SPAK, nën shoqërinë e avokatit mbrojtës Andi Skënderi, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve, ndërsa dosja pritet të kalojë për gjykim.

Elvis Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në shtator të vitit 2015, pasi ai dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderët e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tenderë, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.

Vrasja brutale pas mesnatës, ky është Petrit Ndou, 57-vjeçari që u godit me çekiç në kokë nga i riu pas sherrit se kush do kalonte i pari

0

Personi që shihni në foto është Petrit Ndou, 57-vjeçari që u vra pak pas mesnatës me çekiç në kokë, pas një konflikti të dhunshëm në aksin rrugor Thumanë-Krujë.

Ngjarja e rëndë u regjistruar rreth orës 00:40, kur një përplasje mes dy drejtuesve të automjeteve, ka degjeneruar deri në sherr fizik.

Sipas të dhënave paraprake mësohet se konflikti mes 57-vjeçarit dhe të riut, Andi Vokri ka filluar për motive banale se kush do të kalonte i pari në rrugë, konflikt i cili më pas përshkallëzoi shpejt në dhunë, ku Ndou u godit më pas për vdekje me një çekiç nga 28-vjeçari. Fatkeqësisht si pasojë e goditjes ai humbi jetën në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë mbërritën në vendin e incidentit dhe ndërhynë për zbardhjen e rrethanave. Si autor i dyshuar i krimit është identifikuar dhe arrestuar në flagrancë Andi Vokri, 28 vjeç, banues në Thumanë, Mamurras.

Në vijim të veprimeve proceduriale, policia ka shoqëruar dhe ka marrë në pyetje disa persona të cilët dyshohet se kanë pasur dijeni për ngjarjen ose kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit. Mes tyre është nëna e 28-vjeçarit, Dhurata Ndreka, si dhe Gentjana Vokri, bashkëshortja e tij.

Gjithashtu, dëshmi ka dhënë edhe Kleo Ndou, si dhe tre persona të tjerë të cilët njihnin 57-vjeçarin. E teksa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, familjarët e 57-vjeçarit kanë hapur dyert e mortit.

Vëllai i viktimës, përmes një postimi në rrjetet sociale ka lajmëruar se 57-vjeçarit do t’i jepet lamtumira e fundit ditën e nesërme.

“Me hidherim te thell ju njoftoj per ndarjen nga jeta te vllajt ton Petrit Lulash Ndou Varrimi behet diten e merkure ne oren 13:00. Pritja dhe percjellja behet te restorant Luma Rruga Demokracia Bathore”, shkruan ai.

Konflikt me sende të forta në “Thumanë-Krujë”, vritet 57-vjeçari

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në aksin “Thumanë-Krujë.

Rreth orës 00:40, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta shtetasi P. N., 57 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar, si edhe një tjetër shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen.

Për shkak të hetimeve në vijim, identiteti i tyre nuk bëhet publik.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve hetimore, pritet të jepet informacion i plotë.

EMRI/ I dënuar me 10 vite burg, ndërron jetë në QSUNT 47-vjeçari

0

Një i dënuar i sigurisë së lartë ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

Mihal Mërkuri, 47 vjeç ndodhej i shtruar në Reanimacionin Qendror, Pavijoni i Kirurgjisë.

Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.

Mërkuri ishte i dënuar me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Ai është ekstraduar nga Greqia më datë 20.06.2023 dhe është transferuar në IEVP Burrel më datë 15.02.2025, nga IEVP Korçë.

I ndjeri është shtruar në QSUT më datë 18.01.2026, rreth orës 20:21, dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum).

Për rastin po zbatohen të gjitha procedurat e përcaktuara ligjore.

DETAJE nga ekzekutimi i Jani Aliajt në Burgun e Koridhalosit! Motivet dyshohet se janë pazaret dhe konfliktet e drogës

0

Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i Jani Aliaj nga Tepelena. Sipas mediave greke, pazaret dhe konfliktet e drogës dhe lufta e egër për territor, besohet se janë pistat kryesore dhe motivi i krimit të rëndë të ndodhur në Burgun e Koridhalosit në Greqi. Por autoritetet nuk përjashtojnë edhe një motiv të mundshëm të hakmarrjes, për shkak se viktima i njohur ndryshe si  “Xheku” kishe një aktivitetit të ngjeshur kriminal. 

Hetuesit grekë dyshojnë më shumë se shkaku gjendet tek dalja nga burgu në Greqi kohë më parë e Aliajt dhe rikthimi i tij në qeli më 2024 pas riarrestimit. Gjithashtu mediat greke shkruajnë se se për Aliajn mund të ketë pasur një “kontratë vdekjeje” dhe i dënuari po për dy vrasje, autori 28-vjeçar grek, është porositur nga jashtë hekurave për ta kryer krimin.

Dy vrasje dhe drogë

Jani Aliaj, 49-vjeç kishte kryer të paktën dy vrasje në Shqipëri, për të cilat ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare. E para ndodhi në qytetin e tij të lindjes, Tepelenë, në vitin 2005, dhe e dyta u krye në atdheun e tij në vitin 2016. Ai ishte anëtar i një bande të fortë në jug të Shqipërisë të përfshirë në trafikun e drogës.

Profili i autorit të krimit

28-vjeçari grek ka kryer dy vrasje. E para ka ndodhur disa muaj më parë në Agios Panteleimonas, kur qëlloi me gjakftohtësi në kokë një burrë nga Shqipëria, i cili kishte qenë në shënjestër të policisë për grabitje dhe vjedhje me thyerje. E dyta sot (19/1) në Korydallos me thikë.

Kontrata e vdekjes dhe droga

Sipas informacioneve, oficerët e policisë që po merren me çështjen besojnë se kjo është një kontratë vdekjeje kundër 49-vjeçarit, të cilën 28-vjeçari e ka kryer me urdhër të një tjetër krimineli shqiptar, të cilin e ka punësuar për vrasje. Sipas të njëjtave burime, trafiku i drogës në Athinë është fajtori më i mundshëm. Domethënë, kush do të jetë përgjegjës në sheshet e kryeqytetit? Viktima ishte liruar nga burgu disa javë më parë dhe ishte kthyer. Ndoshta aty qëndron përgjigjja për vrasjen.

Si ndodhi ngjarja?

49-vjeçari, Jani Aliaj u ekzekutua sot (19 Janar 2026), brenda burgut të Koridallos. Autori është një grek 28-vjeçar, i cili me një thikë të improvizuar vrau shokun e tij të burgosur brenda Krahut të 3-të të burgut më të madh të vendit. Gjithçka tregon se kjo është një kontratë vdekjeje, me hetimin që po kryhet nga Siguria e Pireut. Viktima 49-vjeçare ka një të kaluar të rëndë kriminale, ashtu si edhe autori.

Mbyllet seanca e parë në Kuvend/ Opozita bllokoi foltoren, mazhoranca miraton projektligjet

0

Sesioni i ri parlamentar për vitin 2026 u hap me përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës, duke shënuar një atmosferë të tensionuar që në ditën e parë të punimeve.

Kryedemokrati Sali Berisha, i shoqëruar nga deputetët e Partisë Demokratike, përfshirë Gazment Bardhin, rrethuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste.

Shkak për këtë situatë u bë prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhej në sallë pavarësisht kërkesës së opozitës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, me qëllim heqjen e imunitetit të saj sipas kërkesës së SPAK-ut.

Teksa kaosi vazhdonte në sallë, ministri Niko Peleshi prezantoi objektivat parlamentare të qeverisë, ndërsa Berisha preferoi të transmetonte drejtpërdrejt nga foltorja në rrjetet sociale.

Nga foltorja e Kuvendit, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po mbron zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.

Ai kërkoi që, ashtu si në rastin e Erion Veliajt, edhe Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama t’i dorëzohen drejtësisë.

Bardhi paralajmëroi se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në “bunker të korrupsionit” dhe i bëri thirrje kryetares së Kuvendit të thërrasë Këshillin e Rregullores për të vepruar ndaj zyrtarëve të akuzuar.

“Të korruptuarit dorëzojani drejtësisë. Ashtu siç dorëzuat Erion Veliajn, do të dorëzoni edhe Belinda Ballukun dhe më pas Edi Ramën. Mos e kthe Kuvendin në bunker të korrupsionit,” – u shpreh Bardhi.

“Si nuk u lodhe o burrë’, dëgjohet Peleshi duke iu drejtuar Gazment Bardhit i cili fliste mbi fjalën e tij duke kërkuar largimin e zv. kryeministres nga salla e Kuvendit.

E ndërsa opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca, Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS ka hedhur në votim projektligjet, të cilat janë miratuar me votat e PS.

“Turp, turp! Balluku duhet të ishte në burg”, nis me debate të forta sesioni i ri parlamentar

0

Ka nisur me debate të forta sesioni i ri parlamentar për vitin 2026.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se ky sesion ka për synim, që në parlament të miratohen ligje që çojnë Shqipërinë sa më pranë BE-së.

Fjalën e tij e ndërpreu disa herë Gazment Bardhi, që ishte çuar në këmbë, bashkë më deputetë të tjerë të PD-së.

Bardhi përmendi disa herë fjalët “Turp, turp”, duke kundërshtuar duke kundërshtuar me tone të ashpra praninë e zv.kryeministres Belinda Balluku në sallë,

Gazment Bardhi: Balluku duhet të ishte në burg. Turp, turp.

Niko Peleshi: Sot kemi hapjen e sesionit të ri. Mos bërtit. Uroj që ky vit të jetë vit i qetë institucionalisht dhe qytetarët të kenë një jetë më të mirë. Do ngjiresh kujdes. Dhe në këtë sesion të ri, parlamenti ka narrativë kryesore integrimin në BE.

“Si s’u lodhe o burrë i dheut”, iu drejtua kryeparlamentari Gazment Bardhit, i cili bërtet gjatë gjithë kohës duke kërkuar “që PS të dorëzojë Ballukun te drejtësia”.

Peleshi nga ana e tij tha se gjuha e urrejtjes nuk mund të normalizohet në këtë mënyrë.

“Kuvendi duhet të jetë më profesional e europian”, tha ai.

Vritet në burgun e “Koridhalos”, Jani Aliaj!

0

Një incident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhallos, në Greqi. Një i burgosur me origjinë shqiptare është vrarë me thikë nga një tjetër i dënuar. Nga informacionet e para viktima është Jani Aliaj.

Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur në krahun e tretë të burgut, në rrethana që ende nuk janë të qarta. Viktima, ka ndërruar jetë pas plagëve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë e i improvizuar, i përdorur gjatë sulmit nga një tjetër i burgosur me kombësi greke. Jani Aliaj, rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 Maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se viktima dhe autori ishin të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje, duke e bërë këtë ngjarje një përplasje mes dy kriminelëve me rrezikshmëri të lartë. Deri tani nuk dihet nëse shkak i incidentit ishte një konflikt i mëparshëm, hakmarrje apo edhe kushtet e vështira të paraburgimit.

Sipas mediave greke, autori i vrasjes ishte dënuar më parë për vrasjen e një shtetasi shqiptar në rrugë, në zonën e Agios Panteleimonas verën e kaluar. Dyshohet se ai është personi që vrau 47-vjeçarin shqiptar Artur Bashimi. 27-vjeçari, i cili njihet si përdorues i drogës, kishte deklaruar pas arrestimit se kishte marrë përsipër të ekzekutonte shqiptarin për një shumë prej 15.000 euro. Sot, ai dyshohet se i mori jetën një tjetër shtetasi shqiptar.