TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seanca për rastin e Belinda Balluku, ku u shqyrtua ankimi i kryeministrit Edi Rama pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës. Seanca me relator Sandër Becin nisi në orën 10:00 dhe u zhvillua pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje. Këshilli i Ministrave u përball me dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Si palë të interesuara dërguan përfaqësues edhe Presidenca dhe Kuvendi. Ndërkohë, GJKKO nuk dërgoi përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Pasi dëgjoi palët, Kushtetuesja është tërhequr për vendim dhe pritet të njoftojë datën dhe orën e shpalljes së tij.
Këshilli i Ministrave i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit. Përfaqësuesja e qeverisë Eriola Shia tha se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Qeveria i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit. Qeveria argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputeti, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t’i pezullojë ushtrimin e mandatit pa autorizim nga Kuvendi, kjo nuk mund t’i ndodhë as ministrit.
Këshilli i Ministrave tha se vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. “GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij”, tha përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Eriola Shia. Ndërkohë, nga momenti kur Kushtetuesja hoqi masën e pezullimit të Ballukut deri në shqyrtimin e këtij ankimi përfaqësuesit e qeverisë thanë se ministrja Balluku ka marrë të paktën 50 akte që prekin dikasterin e Infrastrukturës.
SPAK thotë se nuk ka konflikt komptenecash, duke shtuar se pasi Balluku u kthye në detyrë cenoi marrjen e provave.
Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk është ankimuar.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.
Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë.

