Tom Doshi nga “zemra” e Tiranës i ka kthyer përgjigje ish-kryeministrit Sali Berisha i cili mesditën e kësaj të premte pretendoi se kreu i Partisë Socialdemokrate është arratisur nga Shqipëria.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Doshi ka reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave të Berishës duke e quajtur mashtrues dhe akuzuar se për vite me radhë ka shpifur kundër tij.
Më tej, kreu i PSD-së thekson se nuk është larguar askund dhe se vijon të jetë në Tiranës, mes miqsh dhe pa “frikë”, teksa nënvizon më tej se nuk ka arsye të fshihet sepse nuk ka vjedhur askënd.
“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti”, shkruan Tom Doshi, ndërkohë që shfaqet krah dy djemve të tij dhe familjarëve duke konsumuar kafen në një nga lokalet e kryeqytetit.
Çfarë deklaroi Berisha më herët
“Toma ia mbathi!
Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.
Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkruante Berisha në Facebook.
Por vetëm disa minuta më pas, ky postim është zhdukur nga rrjetet sociale të kreut të PD.

