Erzen (Hamza) Uka, i cili së bashku me Julian Cumrakun u ngujuan pak ditë më parë në Orosh të Pukës, dhe u përball me RENEA-n, rezulton që të ketë pasur gjurmë baruti në duar dhe rroba. Ky ka qenë rezultati i dalë nga ekspertiza e bërë për ngjarjen në Orosh, ku vetë Uka mbeti i plagosur, në rrethana që nuk janë sqaruar ende nga policia. Mësohet se një plumb që është qëlluar nga brenda banesës, është kqyrur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes, pas vetëdorëzimit të Ukës dhe Cumrakut.
Ndërkohë vetë Policia ende nuk ka sqaruar zyrtarisht rrethanat në të cilat mbeti i plagosur Uka, i cili pas dorëzimit u shoqërua për mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës me një plagë plumbi në këmbën e djathtë.
Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë në bashkinë e Fushë-Arrëzit, janë vërejtur Uka, Cumraku dhe një person i tretë, i cili mendohet ti ketë ndihmuar, por që mbetet i paidentifikuar. Po ashtu është marrë në pyetje edhe vajza me të cilën ishte takuar Cumraku, por ende nuk dihen detaje se çfarë ajo ka rrëfyer.
Ndaj Erzen Ukës dhe Julian Cumrakut, të dyshuar për akte ekstremiste, prokuroria ka zyrtarizuar vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa ende nuk ka siguri lidhur me qëllimin dhe praninë e tyre në banesën ku u gjetën armë e municione, si dhe një flamur i ISIS-it, varur në murin e banesës ku ata qëndronin prej së paku disa javësh.

