Personi që u gjet i pajetë brenda automjetit të përfshirë nga flakët në zonën e Qafës së Llogarasë është identifikuar si Artjol Xhelo, 32 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit.
Burime bëjnë me dije se Xhelo ishte nga Ura Vajgurore dhe në vitin 2023 ishte larguar nga radhët e policisë me dorëheqje. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte shfaqur më herët probleme të shëndetit mendor dhe kishte tentuar më parë t’i jepte fund jetës.
Familjarët kanë deklaruar se 32-vjeçari ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, duke vuajtur nga depresioni, ndërsa ishte i shqetësuar edhe për gjetjen e një vendi pune. Sipas tyre, ai kishte shprehur më herët shqetësimin se nëse nuk do të gjente punë, nuk do të kthehej në shtëpi atë ditë.
Ndërkohë, autoritetet policore po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa priten edhe konkluzionet zyrtare nga ekspertiza për të përcaktuar shkakun dhe dinamikën e plotë të rastit.

