Këngëtarja shqiptare Sheila Haxhiraj pritet të marrë pjesë në audicionet e “Dreaming San Marino Song Contest 2026”, eventi përzgjedhës për përfaqësimin e San Marinos në Eurovision.
Sipas një postimi të publikuar nga portali i specializuar eurovisionstars.com, artistja do të jetë pjesë e fazës së audicioneve, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt skenës europiane të muzikës.
Sheila është e njohur për performancat e saj të veçanta dhe pjesëmarrjen në evente të rëndësishme muzikore, përfshirë Festivalin e Këngës në RTSH. Pjesëmarrja e saj në këtë konkurs pritet të ngjallë interes të madh edhe tek publiku shqiptar.

“Dreaming San Marino” është një platformë që u jep mundësi artistëve nga vende të ndryshme të garojnë për të përfaqësuar San Marinon në Eurovision, një nga eventet më të mëdha muzikore në Europë.

