Kryeministri Edi Rama njoftoi sot përmes rrjeteve sociale se Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, një iniciativë ndërkombëtare e ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në postimin e tij, Rama shprehet se ndihet tepër i nderuar nga ftesa personale e Trump dhe e konsideron këtë një hap të rëndësishëm për vendin në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, Shqipëria përfaqësohet si anëtar themelues, duke ngjitur sipas “një tjetër majë të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë”, dhe kjo pasqyron edhe rritjen e ndikimit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Rama thekson gjithashtu se kjo ftesë është një reflektim i marrëdhënieve të thella të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë forcuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.
Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States”, shkruan Rama.

