Një hetim i kryer nga organizata italiane Essere Animali ka zbuluar një fakt alarmues: mbi 90% e filetave të pulës të shitura në supermarketet Conad, Coop dhe Esselunga paraqesin shenja të një sëmundjeje muskulare të njohur si “white striping” (vija të bardha).
Ky fenomen, i dukshëm përmes vijave të bardha të dhjamit dhe indit fibroz që përshkojnë mishin, shkaktohet nga përdorimi i racave të pulave të modifikuara gjenetikisht për të rritur peshën në një kohë shumë të shkurtër. Gjithsej u hetuan 619 pako mishi të blera në 48 dyqane në dhjetë qytete të Italisë.
Sipas raportit, “white striping” nuk është vetëm një defekt estetik, por tregon një dëmtim të rëndë fiziologjik të muskujve të pulës, pasi qarkullimi i gjakut nuk arrin të mbështesë rritjen e shpejtë të indeve. Si pasojë, muskujt zëvendësohen me dhjamë dhe kolagjen, duke rritur përmbajtjen e yndyrës me deri në 224% dhe ulur proteinat me rreth 9%.

Rezultatet e analizës treguan një përhapje të gjerë të problemit:
• 92,04% e mostrave të Conad ishin të prekuara;
• 90,64% e mostrave të Coop;
• 96,40% e mostrave të Esselunga.
Për më tepër, mbi gjysma e mostrave të Conad dhe Esselunga kishin forma të rënda të sëmundjes. Tek Coop, edhe pse përqindja dukej më e ulët, raporti thekson se shumë pako kishin ambalazh jo të tejdukshëm, që e vështirësonte inspektimin vizual. Kur u analizuan vetëm paketimet e tejdukshme, shkalla reale e infektimit arriti në 96%.

Sipas Essere Animali, kjo gjendje është rezultat i sistemit intensiv të rritjes së pulave, ku mbi 500 milionë shpendë në Itali arrijnë peshën e therjes për vetëm 35–42 ditë, katër herë më shpejt se para 50 vitesh. Organizata kërkon që kompanitë të adoptojnë standardet European Chicken Commitment (ECC), që parashikojnë përdorimin e racave me rritje më të ngadaltë dhe kushte më të mira jetese për kafshët.

Ndërkohë, Coop reagoi duke theksuar se “white striping” nuk përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe se kontrollet e brendshme të saj tregojnë një incidencë më të ulët se 5%. Shoqëria vuri në dyshim metodat e hetimit dhe cilësinë e kampionëve të përdorur nga organizata, duke shtuar se ajo ndjek standarde të rrepta sigurie dhe kërkon kushte më të mira për mirëqenien e kafshëve në kontratat me furnitorët.

Megjithatë, raporti i Essere Animali ka ndezur sërish debatin mbi mungesën e transparencës dhe etikës në industrinë e mishit të pulës në Itali, duke kërkuar angazhim më të qartë nga rrjetet e mëdha tregtare për të mbrojtur si konsumatorët, ashtu edhe kafshët.

