Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 02:20 të mëngjesit në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, në ambientet e jashtme të restorantit “Perla e Detit”, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit.
Sipas informacionit paraprak, sasia e lëndës plasëse ka qenë e vogël, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht thyerje xhamash në pjesën e pasme të lokalit. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë autorin, i cili shfaqet i maskuar teksa afrohet, vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me vrap në këmbë. Pronarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd dhe se nuk kanë asnjë informacion mbi motivet e mundshme të ngjarjes.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.

