Qeveria ka miratuar ndryshime dhe shtesa në vendimin për shpronësimet e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës – Terminali i Transportit Publik Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).
Sipas vendimit të ri, fondi total i shpronësimeve rritet në 377.3 milionë lekë, nga rreth 280.4 milionë lekë që ishte parashikuar më parë. Ndryshimet përfshijnë rishikimin e vlerave të kompensimit për disa pasuri ekzistuese, si dhe shtimin e pasurive të reja që do të shpronësohen.
Kompensimi do të bëhet në vlerë të plotë për pasuritë e llojit arë, truall dhe vreshtë, sipas tabelës shoqëruese të vendimit. Po ashtu, lista e pronarëve përfitues zgjerohet me pasuri shtesë të identifikuara gjatë zbatimit të projektit.
Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 mijë lekë, do të përballohen nga shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”

