Konfliktet mes nxënësve të shkollave të mesme vijojnë të mbeten shqetësuese. Një rast i tillë u regjistrua të premten në Shkodër, ku disa adoleshentë u përfshinë në një përplasje fizike.
Sipas informacioneve, nxënës nga zona e Vaut të Dejës, pas përfundimit të mësimit, kishin lënë takim pranë vendqëndrimit të furgonëve me të cilët udhëtojnë drejt shkollës, me qëllim sqarimin e një konflikti të mëparshëm.
Në pamje, shihen dy grupe adoleshentësh që fillimisht përplasen fizikisht, ndërsa njëri prej tyre mban në dorë një mjet të ftohtë.
Ai tenton të afrohet drejt kundërshtarëve, por fatmirësisht nuk pati persona të plagosur apo të dëmtuar. Ndërhyrja e një qytetareje bëri që situata të qetësohej dhe konflikti të përfundonte.
Në vendngjarje mbërriti policia, por sipas burimeve, mungoi bashkëpunimi për dhënien e informacionit, si nga nxënësit e pranishëm, ashtu edhe nga drejtuesit e furgonëve.
Për ngjarjen është vënë në dijeni edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi.
Mësohet se konflikti kishte nisur disa ditë më parë.
Një javë më parë, pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, u plagosën dy adoleshentë në një tjetër përplasje.

