Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Ludjan Zaimi, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të dhënë më 25 janar 2024.
Zaimi u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me paramendim të punonjësit të Policisë së Shtetit”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 maj 2022, kur Zaimi vrau me armë zjarri kolegun e tij, Caush Saliasi, brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë, pak para se dy oficerët e patrullës së përgjithshme të merrnin turnin.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi për shkak të bullizimit dhe konflikteve të vazhdueshme mes efektivëve në Komisariatin nr. 3. Në shkallën e parë, ish-efektivi u dënua me 35 vite burg për veprën penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, ndërsa Apeli e rikualifikoi veprën në “vrasje me paramendim”, duke i ulur dënimin me 5 vite.
Ish-efektivi nuk u pajtua me këtë vendim dhe iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 30 vite burg.

