TË FUNDIT

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët”, Begaj mesazh për Vitin e Ri: Shëndet, gëzime dhe mbarësi

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, në prag të ndërrimit të viteve ka uruar qytetarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit për një të ardhme më të mirë.

Presidenti bëri thirrje për më shumë bashkëpunim, përkushtim ndaj vlerave të familjes dhe të rinjve, si dhe për një Shqipëri më të fortë dhe më të drejtë në vitin që vjen.

Ai gjithashtu përgëzoi punën e vazhdueshme të qytetarëve dhe institucioneve për një Shqipëri të integruar në Bashkimin Evropian.

Mesazhi i Presidentit

Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.  

Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan.

Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!

Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.

Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!

Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.

Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!  

Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht!

Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të  ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026!  

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat