Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në Facebook-un e tij deklaratën e Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, sa i takon praktikës së paraburgimit në vendin tonë.
“Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve dhe këtë nuk e them unë. E thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës.
Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se autoritetet kombëtare gjyqësore duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese se paraburgimi në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes.
Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore që të sigurojnë, në një rast të caktuar, se paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm. Gjykata e Strasburgut e thotë qartë, se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij.
Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike”, ka deklaruar dje në Tiranë, 29 janar, Esposito.
Kreu i qeverisë shkruan krahas videos se “arresti me burg pa gjyq ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar edhe Këshillin e Europës”.

