1 javë sot nga tërmeti i tmerrshëm, çfarë ka mbetur pas?

640-0-5de62bbe234f3.jpg

Na duket sikur jemi bërë me hije! Sikur toka çdo minutë dridhet nën këmbët tona e ne mendojmë se Zoti po “luan” keq me ne! Çuditërisht, me gjithë vrullin dhe intesitetin e ngjarjeve të këtyre ditëve të fundit, sot mbushet plot një javë nga tërmeti i rëndë që goditi befasisht Shqipërinë, duke sjellë pasoja të parikupuershme në jetë njerëzish, në dëme materiale e në shumëçka që mbush si një “puzzle” përditshmërinë e gjithsecilit prej nesh!

Nuk e dimë nëse vala e tensionit dhe e frikës ka kaluar njësoj për të gjithë, ama nga kontaktet me njerëzit dhe familjarët kuptojmë se është e vështirë ende që të “kapërdihet” gjithë ajo tronditje fatale që pësuam të gjithë mëngjesin e së martës që shkoi. Dita sot nuk ka kurrëfarë ngjashmërie me të martën që lamë pas! Profesorët më në zë të Institutit të Sizmiologjisë në daljet e tyre të fundit publike në media dhe studio televizive kanë shpjeguar me prova se pse nuk mund të ketë më një tërmet të tretë të fuqishëm, mbi 4 ballë të shkallës Rihter, pas atyre të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit. Ndërkohë, që përtej çdo prove, duket se sprova me Zotin dhe atë që mund të na punojë natyra është ajo së cilës i trembemi të gjithë! Parashikime fikse nuk ka! Parashikimet teknike nga ekspertët e fushës sigurisht që duhet të konsiderohen nga të gjithë ne, ama ka diçka më të fortë që nuk e zhbën frikën brenda nesh! Dhe kjo është më e trishtueshme!

Përtej kësaj panorame, përtej dramës që kanë përjetuar ata që humbën familjarët dhe njerëzit më të dashur në tërmetin e para një jave, përtej atyre që sot janë pa shtëpi dhe po strehoen provizorisht në hotele apo në kampe, në banesa sociale apo në ambiente të tjera që shteti i ka menduar si zgjidhje për ta, përtej çdo lëkundjeje ndërgjegje dhe jo vetëm, ne të gjithë duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe nga sot! Jemi një javë pas tragjedisë dhe vetëm pak ditë larg festave të fundvitit që do të na kthejnë faqen e fundit në kalendarin e 2019-ës që për shumëkënd me gjasë nuk është viti më i mirë i jetës!

Ky nuk është një slogan i rastit! Ky duhet të jetë zotimi ynë! Të gjithë bashkë, një javë pas tërmetit le t’i kthejmë krahët të keqes dhe të bëhemi palë me atë që e ardhmja na ka rezervuar! Sa më shumë mirësi, pozitivitet, lumturi, gëzim, festa, zbukurime që të gjithë ne duhet t’i shpërndajmë në ajër njësoj si bulëzat dhe aroma e një parfumi dehës, që në këtë rast të frymëzon më shumë me motivin dhe dëshirën për të ecur përpara, mbi të gjitha për të JETUAR! /class.al/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303