100 mijë euro për një pjesë toke/ Del para Gjykatës vëllai i të fortit të Selenicës

Gjykatat e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg për Satilno Basho, vëllai i Tesi Bashos, i arrestuar pak ditë më parë në Selenicë të Vlorës, me akuzën e ‘shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie’.

Prokuroria argumentoi se në sajë të kallëzimit të bërë nga biznesmeni me iniciale Sulejman Hoxha, se Tesi Basho i ka bërë presion atij për t’i dhënë shumën prej 100 mijë eurosh lidhur me pjesën e një toke ku vëllezërit Basho kishin pjesë takuese.

Mësohet se dy vëllezërit Basho dhe biznesmeni, kanë marrëdhënie familjare me njëri-tjetrin, më konkretisht biznesmeni është daja i mamasë së dy vëllezërve. Ndërkohë kjo gjë u hodh poshtë nga i arrestuari, Satilno Basho. Është zbardhur dëshmia e dhënë përpara togave të zeza të Satilno Bashos. Ai i tha gjykatës se nuk ka lidhje me këtë histori.

“Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë “pse më fut mua në këtë mesele”. Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë “nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë. Më pas ky konflikt i pronës u zgjidh mes familjeve tona”, tha Satilno Basho në gjykatë.

Nga ana tjetër avokati i tij mbrojtës i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes.

“Nuk është gjobvënie. Biznesmeni ka zënë tokën e këtyre dhe ai ka paguar pronën e zënë. Paratë ia ka dhënë disa herë në shuma të ndryshme”, tha ai.