Policia e Gjirokastrës ka vendosur në pranga 11 persona, si të dyshuar për kultivim kanabisi në këtë qark.
Po kështu në këtë aksion 5 persona po ndiqen në gjendje të lirë ndërsa 4 te tjerë janë në kërkim.
Hetimi që zgjati 6 muaj, doli në konkluzionin se financuesi i grupit është një 45 vjeçar.
B.S, 45 vjeç, nga Gjirokastra kishte rolin e organizuesit dhe financuesit.
Të gjithë personat e ndaluar dyshohet se janë përgjegjës për mbjelljen e së paku 30 parcelave me kanabis në Qarkun e Gjirokastrës.
Ata kishin role të ndryshme në organizatë që varionin nga mbjellja deri te transportimi i lëndës narkotike.
Të gjithë këta persona janë identifikuar nga përgjimet e telefonave.
Ata kishin zgjedhur për kultivimin e parcelave me kanabis fshatrat Picar në Gjirokastër, Gusmar në Tepelenë si dhe disa fshatra në Përmet.
Një nga të ndaluarit është edhe shtetasi E.Sh, 41 vjeç, banues në Gjirokastër.
E.Sh, i lindur në Këlcyrë, siguronte punëtorët dhe tokën ku kultivohej kanabisi; B.K., 34 vjeç, dhe K.K., 33 vjeç, banues në fshatin Gusmar, në Tepelenë, akuzohen për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”; Trimosh Duraj, 35 vjeç, banues në fshatin Bënçë të Tepelenës, ndihmonte për transportimin e lëndës narkotike.
Dy të arrestuarit e tjerë nga Tepelena janë shtetasit M.E., lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës si edhe dhe F.H.,nga Gusmari i Tepelenës.
Të dy këta persona kanë qenë më herët të proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Gjatë kohës kur F.H., procedohej në gjendje të lirë, ushtronte edhe funksionin e kryeplakut të fshatit.
Gjatë kontrollit të kryer në banesat e tyre, Policia gjeti lëndë narkotike. Në banesën e M.E., u gjet një sasi prej 3.5 kg kanabis, ndërsa në banesën e F.H., 750 g kanabis të thatë. Ndërsa për katër persona të tjerë, për të cilët kishte urdhër ndalimi, konkretisht për E.K., Gj.B., E.T., dhe J.S., gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa. Ata u shpallën në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tyre.
Po në kuadër të këtij operacioni janë proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” shtetasit: F.B., A.D., V.L., D.T., dhe G.E. Gjithashtu, pjesë e këtij grupi, që organizonte kultivimin e kanabisit në tri qytete të ndryshme, janë përfshirë edhe disa persona të arrestuar gjatë periudhës maj-nëntor. Ndërkohë, Policia bën të ditur se në lidhje me këtë operacion, mund të ketë arrestime të tjera.

