20 vite liri/ Shënohet sot 20-vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë

Sot në të gjitha qytetet shqiptare të Kosovës, por edhe në të gjithë shqiptarinë shënonhet 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s.

Janë parashikuar një sërë aktivitetesh në të gjithë Kosovën. Ndërkohë që në Prishtinë është i pranishëm edhe ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine Albright, ish-komandanti i  Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Ëesley Clark dhe shumë personalitete tjera vendore e të huaja.

Me këtë rast, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ndërsa nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright.

Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, erdhi pas një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova. Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori. /real-news.tv/