Në 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi, liderët e institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë kontributin e bashkësisë ndërkombëtare për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga pushtimi serb.
Presidenti Thaçi, gjatë një fjalimi në manifestimin e 21 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, tha se Epopeja shënoi një kthesë për liri dhe se madhështi kësaj date i dha intervenimi i NATO-s, 20 vite më parë.
“Kjo aleancë nuk është lidhur rastësisht, por pikërisht falë rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës së çdo qytetari të Kosovës. Sot kujtojmë me respekt Epopenë e Dukagjinit, vlerësojmë lartë mbështetjen ndërkombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, tha Thaçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorët e rënë gjatë luftës në Kosovë. Haradinaj tha se tani Kosova duhet të punojë edhe më shumë për t’u bërë e plotë.
Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Haradinaj shkruante se “populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”.
Ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur mirënjohje ndaj intervenimit të NATO-s, 20 vjet më parë, duke theksuar se këtë aleancë që e ka filluar UÇK-ja, siç tha, sot po e vazhdon edhe Ushtria e Kosovës.
Pas përpjekjeve të shumta për të arritur një zgjidhje diplomatike komuniteti ndërkombëtar vendosi që NATO të fillojë bombardimin e Serbisë më 24 mars 1999. Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviç u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
/real-news.tv/

