20-vjetori i çlirimit të Kosovës/ Mijëra qytetarë presin me ovacione tre ‘shpëtimtarët’ amerikanë

Sot në të gjitha qytetet shqiptare të Kosovës, por edhe në të gjithë shqiptarinë shënohet 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s. Me këtë rast, në Prishtinë janë organizuar një sërë aktivitetesh, ku përveç figurave të larta shtetërore të Kosovës, në këtë ditë të shënuar kanë nderuar me praninë e tyre edhe tre shpëtimtarët amerikanë të Kosovës, Bill Klinton, Madeleine Allbright e Wesley Clark, të cilët kanë parakaluar disa minuta më parë në sheshin e Prishtinës.

Në një pritje shtetërore, para mijëra qytetarëve të Kosovës, ish-liderët amerikanë i kanë dhënë hijeshi festës së Kosovës. Kur përfundoi himni i Kosovës të gjithë qytetarët e pranishëm në ceremoni kanë duartrokitur duke shprehur kështu falënderimin e tyre ndaj ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Ky i fundit në fjalën e tij me rastin e kësaj dite të shënuar për Kosovën, u është drejtuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës me një fjalim të gjatë rreth përvojës së tij para dhe pas futjes së NATO-s në Kosovë, ku ka treguar eksperiencën që kishte me popullin shqiptar, duke i falënderuar ata për mikpritjen e mrekullueshme dhe bashkëpunimin e palodhur.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka uruar gjithë qytetarëve 12 qershorin, ditëlindjen e lirisë së Kosovës.

Ndërkohë, Ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, Madelenie Albright, iu drejtua qytetarëve me një fjalë rasti. Ish-sekretarja tha se ndihet krenare me atë që është bërë para dy dekadave. Ajo tha se shteti ynë ka zhvilluar bazat e demokracisë, ka media të pavarura, sistem gjyqësor, qeveri etj.