Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviç, me një grup bashkëpunëtorësh, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ka kaluar në këmbë kufirin Kosovë-Serbi, në shenjë proteste ndaj ndalimit nga organet e sigurisë së Serbisë, të anëtarëve të partisë së tij, të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës.
Siç ka thënë Petroviç, tani e disa muaj me radhë, strukturat e sigurisë së Serbisë janë duke ushtruar torturë, duke i ndaluar në vendkalimet kufitare dhe duke i mbajtur për disa orë rresht anëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, që janë pjesë e institucioneve qendrore të Kosovës dhe të cilët kanë udhëtuar për në Serbi, për vizita private, familjare dhe për vizita shëndetësore.
Sipas tij, anëtarët e kësaj partie, përfshirë edhe atë vet, në 7 raste janë ndaluar dhe janë intervistuar për orë të tëra nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë,e njohur si BIA.
Rasti i fundit, siç ka thënë Petroviç, ka ndodhur ditën e enjte, në vendkalimin Dheu i Bardhë, ku është ndaluar nga ana e policisë serbe, Sërgjan Jovanoviç, anëtar i Partisë së Pavarur Liberale, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ky është poshtërim dhe e them që është poshtërim për gjithë popullin. Nga ky vend, dëshirojmë të dërgojmë porosi të qartë që ne nuk kemi punuar asnjëherë kundër interesave të shtetit të Serbisë dhe aq më pak kundër interesave të popullit tonë”.
“Nëse gabimi ynë më i madh është që si përfaqësues të serbëve në institucionet e Kosovës, kemi bërë shumë më tepër për bashkësinë serbe se sa këta të sotmit (Lista Serbe), të cilët nuk po munden ta kthejnë atë që ne kemi bërë, atëherë ne e pranojmë atë gabim. Dëshirojmë që nga ky vend t’i dërgojmë porosi edhe bashkësisë ndërkombëtare se ne e dimë që ju e dini që e gjithë kjo nuk është në rregull dhe e presim reagimin e juaj konkret, sepse e gjithë kjo e ka kaluar çdo masë”, tha Petroviç.
Ai ka shtuar se kësaj radhe, policia serbe nuk i ka ndaluar në vendkalimin kufitar dhe se i ka dëgjuar komunikimin e tyre me BIA-n, të cilët i kanë urdhëruar që të mos i ndalojnë.
Sipas tij, përmes kësaj forme të protestës, Partia e Pavarur Liberale, dëshiron t’i dërgojë porosi opinionit në Kosovë, në Serbi dhe më gjerë, se ajo që po u ndodhë anëtarëve të kësaj partie është me arsye të pastra politike dhe vetëm pse kanë mendim tjetër politik nga Beogradi zyrtar, si dhe partia e krijuar nga ajo, Lista Serbe./evropaelire.org

