Udhëheqësi i grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) është shfaqur në një video për herë të parë pas pesë vitesh.
Abu Bakr al-Baghdadi tha se grupi IS do të hakmerret për vrasjen dhe burgosjen e pjesëtarëve të tij.
Ai tha se operacionet e grupit kundër Perëndimit kanë qenë një “betejë e gjatë”.
Nuk është ende e qartë ku është incizuar videoja 18 minutëshe, përderisa forcat irakiane dhe ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur për ta zënë udhëheqësin e grupit ekstremist.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se incizimi është duke u hetuar për të përcaktuar autenticitetin. Ky zëdhënës tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është i përkushtuar që “liderët e mbetur të IS-it t’i dorëzohen drejtësisë dhe të marrin atë që meritojnë”.
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA)ende nuk ka bërë komente lidhur me këtë rast.
Ndërkaq zëdhënësi i Pentagonit, Sean Robertson tha se “SHBA-ja po vazhdon mbështetjen ndaj partnerëve në misionin e tyre për të siguruar mposhtjen e IS-it”.
Paraqitja e fundit e Baghdadit ka qenë në vitin 2014 nga xhamia Al-Nuri në Mosul të Irakut./real-news.tv/

