TË FUNDIT

Mustafa kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë: Të shkarkohet Thaçi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar idenë e  presidentit Hashim Thaçi për bashkimin me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës. Ish – kryeministri Mustafa këtë ide të presidentit e ka quajtur të pa pranueshme.

Madje Mustafa ka thënë se “presidentit Thaçi tashmë i ka humbur busulla”,  dhe se po bën veprime të papërgjegjshme dhe jo kushtetuese.

“Më e keqja është se presidenti i vendit e ka humbur totalisht busullën. Ai ma nuk ka busull për Kosovën dhe tani më nuk ka veprime të përgjegjshme për Kosovës. Detyrë e presidentit të vendit është të mbrojë kushtetutën e vendit. Kur e mbron Kushtetutën e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi. Ne kemi një president që një ditë zgjohet dhe thotë se do të korrigjojmë kufij duke marr Luginën e Preshevës dhe tani thotë e marrim Luginën e s’japim asgjë. Në këtë formë e nënçmon dhe denigron edhe qytetarin e Kosovës, sepse çdo njeri e din se s’mund të ia marrësh një pjesë e cila është në territorin e Serbisë  pa i dhënë më shumë se që merr”, thotë Mustafa.

Lideri i LDK-së, thotë se presidenti Thaçi u zmbraps nga ideja për shkëmbim territoresh, pasi nuk u përkrah nga askush në Kosovë dhe jashtë saj.

Thotë se Kosovës nuk i duhet një President që e shkel Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa bashkimi mes dy shteteve do të ndodhë vetëm atëherë kur të anëtarësohen në BE.

“Ne nuk mund të kemi një president i cili e shkel shtetësinë  e Kosovës. E shkel Deklaratën e Pavarësisë. Kur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian atëherë ne do të jemi bashkë me Shqipërinë në BE dhe s’do të kemi kufij me Shqipërinë”, thotë Mustafa, duke i quajtur deklarata e Thaçit të papjekura.

“Unë i shoh si veprime të papjekura të Presidentit, veprime të cilat janë të dëmshme sepse presidenti po e vë në pikëpyetje shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ne e kemi shpall pavarësinë që të jemi shtet i pavarur, jo të jemi shtet si pjesë e një shteti tjetër, ose krahinë. Idealët për bashkim kombëtar i arrijmë kur ta përmbyllim gjithë këtë proces i cili akoma është i pa përmbyllur pikëpamje të njohjes së Kosovës nga shumë vende, të anëtarësimit në OKB dhe në pikëpamje të përmbylljes së tërësishme të shtetësisë sonë. Duhet të kemi njohje nga 5 vendet e BE-së. në këtë situatë kur presidenti i vendit thotë se do të bashkohemi me Shqipërinë çka presim ne se do të na njohë një vend tjetër ose se ne do të jemi palë serioze në BE. Ne kemi kryeministrin tonë, institucionet tona, ne ato duhet ti respektojmë dhe ne duhet të luftojmë që shtetin e Kosovës ta kemi si ideal tonë”, pohon ai.

Ish- kryeministri Mustafa,  edhe pse dikur lobonte për votimin e Thaçit si president të vendit, tashmë thotë se janë të gatshëm të ngrenë një mocion mosbesimi për shkarkimin e tij./real-news.tv/

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat