Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit.
Ju sapo u kthyet nga Serbia ku takuat disa zyrtarë kryesorë atje dhe tani jeni në Prishtinë. A patët sukses që t’i bindni të dyja palët që t’i kthehen dialogut?
Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mendoj se është fondamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet, idealisht kjo do të thoshte njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë. Kthimi në tavolinë është fundamentale për këtë. Kjo nënkupton suspendimin e tarifës, pra largimi i pengesave për progres. Unë besoj që të dyja palët janë gati që të ritakohen, por është më rëndësi që të krijohen kushtet në mënyrë që kjo të jetë e mundur. Ne mbetemi mbështetësit kryesorë në këtë proces. Nuk ka rrugë tjetër përpara për Kosovën, përpos dialogut me Serbinë, normalizimi i raporteve dhe ne shpresojmë se mund të ndodhë sa më parë.
Në pikëpamjen e SHBA-së, a është largimi i tarifave një kusht absolut për vazhdimin e dialogut?
Në këtë pikë nuk shohim ndonjë rrugë tjetër përpara. Është apo jo e drejtë, kjo është një pyetje tjetër, por taksa është pengesë për progresin. Kosova nuk po fiton nga kjo në ndonjë mënyrë. Tarifat në fakt janë, siç i shohim ne, të dëmshme për interesin strategjik të Kosovës në normalizim dhe rrugën evropiane. Kështu që, ne inkurajojmë autoritet në Prishtinë që, minimalisht të suspendojnë tarifën në mënyrë që të lejojnë procesin që të rifillojë, të shihet nëse mund të arrihet progres, nëse mund të tërheqje apo lëvizje përpara dhe tani të bëjmë gjithçka mundemi që të çojmë procesin përpara drejt një marrëveshje sa më parë.
A shihni gatishmëri në shoqërinë kosovare për të suspenduar tarifën?
Mendoj se ky është një vendim që duhet ta ndërmarrë Kosova në bazë të mirëkuptimit kolektiv për interesat më të rëndësishme të Kosovës. E kuptoj që tarifat janë shumë popullore dhe e kuptojmë pse, por në inkurajojmë njerëzit, si liderët politikë ashtu edhe votuesit në Kosovë, që të shikojnë mirë se çfarë po përfiton në fakt Kosova nga kjo dhe çfarë në të vërtetë ka shkaktuar në Kosovë. Dhe nëse kjo është shikuar qartësisht, mendoj se ata do të pajtoheshin me konkluzionet tona se tarifat rrënjësisht nuk janë duke ndihmuar Kosovën në rrugën në të cilën ajo duhet të shkojë përpara.
A do të jetë ‘diplomacia fluturuese’ formë e re për vazhdimin e dialogut?
Ne zhvillojmë bisedime me të dy palët në këtë proces rreth asaj se si të ecim përpara. Në fund të fundit kjo nuk varet nga ne që të negociojmë një marrëveshje. Prishtina nuk do të negociojë një marrëveshje me SHBA-në, nuk do të negociojë një marrëveshje me Brukselin, duhet të negociojë me Beogradin, kështu që duhet që të gjejë një rrugë përpara duke u kthyer në tavolinën e dialogut duke u kthyer ne tavolinën e negociatave dhe të arrijë një marrëveshje që avancon interesat nacionale të Kosovës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump në letrat e tij për presidentët e Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se SHBA-ja është e gatshme të asistojë në arritjen e një marrëveshjeje, që balancon interesat e të dyja shteteve. A ka vija të kuqe për SHBA-në kur bëhet fjalë për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
SHBA-ja nuk është e gatshme që vetëm të vulosë çfarëdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ajo se çfarë jemi duke thënë është se duam të shohim një marrëveshje që është e qëndrueshme, që është fer, që është e drejtë, që është e zbatueshme, një marrëveshje e cila mund të shpjegohet dhe të përqafohet nga publiku në të dyja shtetet. Nëse kemi shqetësime lidhur me çështje specifike të ndonjë marrëveshjeje, ne do t’i identifikojmë ato shqetësime dhe do të punojmë me palët, që t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim. Por, siç thash, ne do të donim të kishim këtë problem sepse kjo do të thoshte që palët kanë rinisur bisedimet dhe kanë gjetur një të përbashkët. Këtë do të dëshironim ta shihnim.
Nëse marrëveshja finale ka të bëjë me kufirin, ndarje, korrigjim, përcaktim i kufirit apo sido që të quhet, a do të mbështesë SHBA-ja një marrëveshje të tillë?
Përcaktimi i kufijve është një e drejtë sovrane. Kjo është diçka që Kosova e kontrollon dhe e vendosë. Nëse Kosova vendosë që si një çështje që i takon të drejtës sovrane ta diskutojë rregullimin e kufirit me Serbinë, atëherë kjo është e një zgjidhje e Kosovës. Ne e mbështesim procesin negociues në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka të bëjë me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kjo nënkupton se cilado marrëveshje duhet të jetë shumëdimensionle, pra do të ketë komponentët e vet politikë, do të ketë komponentën e sigurisë dhe nuk ka dyshime që do të ketë edhe komponentën e kulturës, ekonomisë e tregtisë.

