Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore, dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme.
Marrëveshja u firmos nga ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Gent Cakaj dhe Behgjet Pacolli.
Në konferencën e përbashkët për median, Cakaj sqaroi se marrëveshja konsiston në katër shtylla kryesore: politike, diplomatike, profesionale dhe kulturore.
“Kemi vendosur ngritjen e grupit ndërministror për përfaqësim të përbashkët ndërkombëtar, me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve politike në terrenin ndërkombëtar dhe marrjen e detyrimeve konkrete për përfaqësim të njëra-tjetrës, sipas vlerësimeve të përbashkëta veçanërisht në organizata ndërkombëtare.
Veçanërisht Republika e Shqipërisë nga sot e tutje merr përsipër jo thjesht afirmimin deklarativ por edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë, mbrojtjen konkrete dhe afirmimin pa kushte të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare ku përfaqësimi i Kosovës për shkaqe objektive është i pamundur. Kemi vendosur edhe ngritjen e Këshillit të përbashkët për planifikim strategjik i cili ngarkohet me detyrën e përcaktimit të prioriteteve strategjike dhe propozimin e rregullt të politikave të rëndësisë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria tani e tutje nuk do të veprojnë si një trup i unifikuar, por edhe me një qasje aktive në botën e jashtme”, tha Cakaj.
Ideuesi i gjithë kësaj nisme, Behgjet Pacolli, u shpreh operimi i dy vendeve si një trup i vetëm do të sjellë më shumë rezultate.
“Duhet të hapim diplomacitë. Ka një mori vendesh ku ne operojmë si dy entitete dhe unë mendoj se kjo është e tepërt. Ne duhet që këto energji t’i bashkojmë dhe të veprojmë së bashku, që ne të kemi përfaqësi të përbashkëta. Nëse ne jemi të aftë të bashkëpunojmë të me njeri-tjetrin do jemi të aftë të bashkëpunojmë edhe me të tjerët”, tha Pacolli./real-news.tv/

