Policia e Shtetit shpall në kërkim tre personat kyç në grabitjen e Rinasit dhe vendos si shpërblim shumën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion për kapjen e tyre.
Bëhet fjalë për vëllezërit Klement Çala, 31 vjeç dhe Eldi Çala, 34 vjeç, si dhe Talo Çela, 48 vjeç. Të tre shtetasit janë banues në Elbasan.
“Cilido qytetar që disponon informacion të vlefshëm, të telefonojë në numrat: 069 41 04 111 dhe 069 41 00 615, duke iu garantuar anonimat të plotë e të sigurt” apelon policia.
Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në Burg” ndaj tyre, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Policia vijon punën për identifikimin e vendndodhjes dhe kapjen e tre shtetasve të mësipërm si dhe për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Më herët policia ka ndaluar për grabitjen e 9 prillit 6 persona si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende që lidhin autorët me veprën penale.
Në grabitjen e Rinas u vra në shkëmbim zjarri me policinë Admir Murataj, që dyshohet se ka qenë truri i supergrabitjes në aeroport. Pas super grabitjes, në datë 20 prill policia mori kontrollin në sallën e kamerave duke nisur zbatimin e masave shtesë.

