Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 45-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pa leje. Arrestimi i tij erdhi pas një njoftimi anonim në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, se 45-vjeçari me banim në Kamëz mbante armë zjarri në brez. Arrestimi i tij u bë në një lokal në zonën e Bathores.
“Në Komisariatin Dixhital ka ardhur një denoncim se në rrugën e “Arbërit”, lagjja nr. 1 Bathore, në ambientet e një lokali një shtetas kishte armë zjarri në brez.
Falë reagimit të menjëhershëm të Shërbimeve të Policisë të Komisariatit nr. 5, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M.N., 45 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Valias Kamëz, Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi, në ambientin e lokalit, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë. Nga kontrolli në banesë ju gjetën dhe 17 fishekë pistolete të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet do referohen për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. /real-news.tv/

