Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u bëri thirrje vendeve që nuk kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë, duke theksuar se kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Veseli e bëri këtë thirrje në forumin e liderëve parlamentarë, të organizuar nga Kongresi Amerikan, në Washington, ku po marrin pjesë edhe deputetët e opozitës, Mimoza Kusari-Lila dhe Avdullah Hoti.
“Kërkoj nga ju që ta njihni shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. I shërben edhe miqësisë dhe zhvillimit të lidhjeve tona në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit”, tha Veseli në fjalën e tij.
Në këtë forum po marrin pjesë edhe përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Kryeparlamentari Veseli ka pasur një takim me senatorin Ron Johnson, i cili ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.
“Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë një marrëveshje të obligueshme”, citohet senatori Johnson nga kabineti i kryeparlamentarit Veseli.

