Detaje të reja kanë dalë për shpërthimin që ndodhi në Dibër. Në fakt këtë shpërthim e denoncoi fillimisht ish-deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruante se ishte dëmtuar prona e qytetarit Lulzim Durma.
Lokali që ka shpërthyer ka qenë në një zonë të banuar, duke shkaktuar panik mes qytetarëve. Aktivizimi i lëndës plasëse ka shkaktuar dëmtimin e dyerve, dritareve dhe mjediseve të tjera të lokalit.
Ndërkohë, dy qytetarë që lëviznin në afërsi të objektit në momentin e shpërthimit, kanë marrë dëmtime të lehta.
Të pyetur nga grupi hetimor, ata kanë deklaruar se nuk kanë parë askënd dhe se në momentin e shpërthimit të fuqishëm janë shtrirë për tokë.
“U trembëm shumë, zhurma ishte e madhe. Një shtëllungë tymi u ngjit lart. Ramë përtokë, u trembëm shumë. Copa xhamash dhe dërrasash na goditën. Për fat të mirë, jemi gjallë. Ne nuk kemi asnjë lidhje me këtë ngjarje”, kanë pohuar dy qytetarët e lënduar, shkruan Panorama.
Pronari i lokalit ku ndodhi shpërthimi ishte së bashku me familjen për pushime në plazh.
“Kemi grumbulluar shumë informacion dhe shpresojmë ta zbardhim shpejt ngjarjen e ndodhur. Ne dimë se pronari i objektit e ushtronte aktivitetin e tij prej tri vitesh në këtë lokal. Kati i parë është një dyqan ku shiten materiale të përdorura, në katin e dytë ndodhet një lokal për kafe dhe në të tretin banon familja Durma”, bënë me dije zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Dibër.

