Sot është afati i fundit i aplikimit në universitete, por qindra maturantë nuk po arrijnë dot të regjistrohen.
Bëhet fjalë për maturantët me mesatare 6 deri 6.5 në disa degë dhe 7.6 në disa degë të tjera, të cilët nuk po arrijnë dot të regjistrohen në portalin e maturës shtetërore.
Pas shqetësimit të ngritur nga studentët, ka ndërhyrë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i ka dërguar një kërkesë për shpjegime Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Në të thuhet se kriteret janë vendosur me vonesë dhe jo kur maturantët kanë nisur ciklin e studimeve, dhe së dyti vendosja e mesatares është e pakuptimtë për vende si Shqipëria.
“Avokati i Popullit ka çmuar se ankesa e maturantëve ka nevojë të marrë trajtimin e duhur për disa arsye. Së pari sepse ata nuk janë lajmëruar në fillim të nisjes së studimeve në shkollat e mesme për këto kritere të cilat sot i penalizojnë por që mund të ishin shmangur prej tyre nëse do të ishin të vlefshme që në momentin kur ata kanë nisur studimet.
Së dyti sepse kufizimi i mesatares është i pakuptimtë në vende si Shqipëria e cila afishon se sistemi arsimor është falas. Së treti sepse në asnjë vend perëndimor aksesi në studimet e nivelit Bachelor nuk kufizohen nga mesatarja dhe së fundi, sepse siç me të drejtë pretendojnë maturantët, kjo politikë bie ndesh me parimin se nota më e ulët kaluese në sistemin arsimor shqiptar është 5 dhe jo pragjet e reja artificiale prej 6.5 ose deri edhe në 7.6 që janë vendosur me anë të këtyre kritereve penalizuese.
Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që sa më parë të bëjë shpjegimet e nevojshme pranë këtij institucioni në përgjigje të shqetësimit të këtyre qindra maturantëve të sotëm e studentëve të nesërm”, thuhet në njoftimin publik të AP.
Mesatarja u ndryshua vetëm disa javë para se të përfundonte Matura Shtetërore edhe pse një vendim i hershëm kishte përcaktuar mesataren 6 si vijën e kuqe për hyrjen në universitet. Kjo mesatare u rrit për disa degë, ndër to dhe mësuesia.

