Policia e Tiranës ka vënë në pranga burrin 60-vjecar me inicialet R. S. që pas një sherri të ashpër me bashkëshorten, kishte rrëmbyer automatikun dhe do të kryente krimin.
Sipas policisë, “Marrja në kohë e informacionit, si dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 5, parandaloi përshkallëzimin e një konflikti mes një çifti bashkëshortësh”.
NJOFTIMI
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe bllokohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik me qytë druri, 2 karikatorë dhe 96 fishekë, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Bathore, Kamëz po ndodhte një konflikt i ashpër midis dy bashkëshortëve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasin:
– R. S., 60 vjeç, banues në Bathore, Kamëz.
Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit automatik me dy karikatore me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim në familje, si dhe 96 fishekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Dhuna në familje” në ngarkim të shtetasit R. S.

