Një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit kthen në garë për tu emëruar në Gjykatën Kushtetuese Zhaklina Peton, kandidate e përjashtuar nga KED për probleme me pasurinë. Në rast se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zbaton vendimin e dhënë nga togat e zeza të Apelit emri i Petos i bashkohet gjashtë kandidatëve në garë për katër vendet e tjera në Kushtetuese duke e çuar në pesë numrin e kandidatëve që mund të mandatohen në këtë fazë të procesit. Me një anëtar në përbërje dhe pesë anëtarët e rinj Gjykata Kushtetuese mund të fillojë punën me çeshtjet e para.
Gjykata Administrative urdhëron rikthimin në garë për emërim në Gjykatën Kushtetuese të kandidates Zhaklina Peto, të skualifikuar nga ky proces me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Më 22 gusht 2019 një trupë gjykuese e përbërë nga Alkelina Gazidede, Amarildo Laçi dhe Bari Shyti vendosi pranimin pjesërisht të padisë se kandidates Peto dhe shfuqizimin e vendimeve të datës 2 gusht 2019 të nxjerrë nga i padituri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Këto vendime të KED i ndalonin pedagoges së Fakultetit Juritik kandidimin për një mandat të plotë dhe një vakancë të parakohshme në Gjykatën Kushtetuese; të shpallura nga Presidenti i Republikës më 17 shkurt 2018.
Në këtë mënyrë vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit nëse gjen zbatim në këshill, e çon në pesë numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që mund të emërohen nga KED.
Ky këshill aktualisht ka në shqyrtim dosjet e gjashtë kandidatëve të regjistruar për emërim në katër vende vakante në Kushtetuese.
Zhaklina Peto është pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë prej vitit 1996 si autore e disa librave në fushën e së drejtës. KED ka çertifikuar deri më tani 6 kandidatë për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Dosjet e gjashtë kandidatëve u janë shpërndarë anëtarëve të KED në datën 9 gusht ndërsa procedura parashikon edhe dy mbledhje deri në propozimin e katër emrave për votim tek presidenti dhe parlamenti. Këshilli i emërimeve në drejtësi e bazoi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos në raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se ajo “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.
Sipas ILDKPKI, Zhaklina Peto ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit me sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.
Në faqen e KED, është publikuar edhe shpjegimi i dhënë nga vetë Zhaklina Peto për këtë çështje e cila i ka hedhur poshtë pretendimet e ILDKPKI-së e cila ka theksuar se ndërtimi pa leje është bërë nga shitësi i pronës, ndaj edhe shtesa ka qenë e paregjistruar.

