Pas dosjes 184, prokuroria për Krime të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i një tjetër çështje të rëndësishme. Bëhet fjalë për dosjen e biznesmenit Orest Sota, e cila është transferuar në prokurorinë e Elbasanit. Ky institucion ka shpallur moskompetencën për hetimin, me argumentin se veprat penale, nuk janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet e mëtejshme për Orest Sotën do të vijohen nga prokuroria e Elbasanit, me akuzat e “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave”.
Prokuroria e Përgjithshme, sipas burimeve, është shprehur se dosja ‘Sota’ është dërguar në Prokurorinë e rrethit Elbasan por pa dhënë shpjegime se në cilën fazë ndodhen hetimet.
Biznesmeni Orest Sota, u arrestua në Elbasan më shumë se një vit e gjysmë më parë dhe në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm.

