Seanca e sotme parlamentare ka vijuar me debate mes deputetëve. Ralf Gjoni ka akuzuar PS se po flirton me PD në kurriz të interesave të popullit.
“Prezenca jonë mban këtë shumicë në këmbë, kryeministri po flirton me opozitën në rrugë dhe është pranë një marrëveshje, Presidenti na qenka krenar se shmangu djegien e parlamentit”, ka thënë Gjoni.
Ndërsa në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka thënë se shumica nuk ka dashuri për Lulzim Bashën, por respekt për dialogun, ku ftoi sërish opozitën jo parlamentare për të qenë pjesë e tryezës së reformës zgjedhore.
“Në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, PD-LSI rezultojnë parti parlamentare, harroje ti se paskam dashuri për Lulzim Bashën, por kam respekt për dialogun politik gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për propozime. Nëse nuk duan, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të mbetet peng”, tha Balla.

