Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka marrë masën e pezullimit nga detyra të pedagogut Denis Himçi, i cili u përfshi në skandalin e transmetuar dje në emisionin investigativ ‘Stop’, ku i kërkonte favore seksuale studentes.
“Nëpërmjet Komunikatës për shtyp të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, Elbasan, të datës 18.09.2019, jemi vënë në dijeni për ndalimin e punonjësit të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, Denis Himçi, me detyrë personel akademik në Departamentin e Gjuhës Frënge dhe Italiane, të Fakultetit të Shkencave Humane, pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop” të mbrëmjes së datës 17.09.2019.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra të pedagogut Denis Himçi. Masa e pezullimit nga detyra do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” shpreh qëndrimin e tij zyrtar se distancohet ndaj çdo sjelljeje të ulët e të padenjë, e cila cënon figurën e personelit akademik dhe imazhin e këtij institucioni të arsimit të lartë.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i hapur dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë deri në zbardhjen e plotë të çështjes.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” falënderon emisionin investigativ “Stop” për kontributin e dhënë në evidentimin e rasteve të sjelljeve të padenja që cenojnë imazhin e universitete shqiptare”, shkruhet në njoftimin e Rektoratit të UE-së.

