Një aksident tragjik i mori jetën një adoleshenti paraditen e djeshme në zonën e Domjes në Tiranë, ndërsa policia u mjaftua me një njoftim të orëve të vona se kishte arrestuar drejtuesin e mjetit Benz, që kishte shkaktuar përplasjen.
Pavarësisht se në njoftimin e policisë thuhej se viktima ishte 16-vjeç, dietologia Blerina Bombaj, e cila njihte familjen tregon se i mituri nuk ka qenë më shumë se 13-vjeç.
Bombaj shkruan më tej se familja e dinte djalin në shkollë, dhe e ka mësuar ngjarjen tragjike disa orë pasi ajo kishte ndodhur. Në statusin e saj, Bombaj bën apel për të gjithë prindërit që të mos u japin biçikleta fëmijëve, sa kohë që në vendin tonë ka ende shumë shoferë të papërgjegjshëm.
“Djali ka ndërruar jetë në moment, dje rreth orës 10.30. Është dërguar në spital nga kalimtarë, pasi makina është larguar, dhe prindërit e kanë marrë vesh në mbasdite vonë, duke menduar se fëmija ishte në shkollë. Jam thellësisht e trishtuar, nuk gjej fjalë ngushëllimi! Por dua t’iu bëj thirrje prindërve, mos ju jepni biçikleta fëmijëve në këtë vend të papërgjegjshmish!”, shkruan dietologia.
Njoftimi i policisë për aksidentin:
Nga Seksioni OPGJ-ve në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë u bë arrestimi i shtetasit A. H.,25 vjeç, banues në Kamëz.
Arrestimi i tij u bë pasi, në rrugën, me sens lëvizjeje nga Kamza për në rrugën e Rinasit, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka aksidentuar me pasojë vdekjen, çiklistin shtetasin e mitur O. Ç.,16 vjeç, banues në Domje.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


