Avokati Ndue Pjetra ka komentuar dënimin e Saimir Tahirit për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që do ti konvertohet në 3 vjet e katër muaj shërbim prove.
Pjetra u shpreh se Gjykata ka gabuar në dhënien e vendimit, duke ndryshuar dhe akuzën e prokurorisë, pasi sipas tij Krimet e Rënda nuk kanë në juridiksion që të trajtojnë çështjet që lidhen me shpërdorimin e detyrës.
Avokati shton se prokuroria është treguar shumë e dobët në paraqitjen e provave në Gjykatë, të cilat ishin mbështetur tërësisht në përgjime.
Pjetra tha se në nisje të procesit hetimor ndaj Tahirit, qëllimi i ndërkombëtarëve ishte që ai të shërbente si një karrem për shpërbërjen e të gjithë zinxhirit të trafikut, por mesa duket ‘’prokurorisë i humbi grepi gjatë rrugës”.
“Vetë prokuroria nuk e ka kërkuar dënimin e tij. Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka juridiksion që të japë dënim për shpërdorim detyre. Nuk ka gjykatë në bote që ta dënojë Tahirin me shpërdorim detyre.
Ta themi në gjuhë popullore qëllimi i ndërkombëtarëve ishte që Tahiri të shërbente si një peshk i vogël për të kapur peshq të tjerë më të mëdhenj. Prokuroria e hiqi grepin rrugës, gjykata nuk mund ta dënonte me ato prova që iu vunë në dispozicion.
Deri më sot nuk ka pasur një rast të tillë që vetë Gjykata të japë një dënim, me një akuzë të tjetërsuar, kjo do të krijojë një precedent të ri dhe në vetë radhët e gjyqësorit. Si mund të dënohej Tahiri, sa kohë që hetimi ndaj tij ishte politik. Tahiri nuk kishte firmosur asgjë, që të dënohej për shpërdorim detyre, nuk kishte vendime që mbanin firmën e tij që të përballej me këtë akuzë”, u shpreh Pjetra.
Avokati shkoi deri aty sa bëri dhe një parashikim për fatin politik të Saimir Tahirit: Dihej shumë mirë që ai nuk kishte faj, shumë shpejt ai mund të jetë kryeministër i Shqipërisë.
Duke iu rikthyer marrëdhënies së Tahirit me Habilajt, Pjetra tha se ligjërisht Tahiti është i pafajshëm pasi prokuroria ka pasur një mungesë të theksuar vullneti për të provuar akuzat ndaj tij.
“Ligji e ka të parashikuar qartë se unë nuk jam i detyruar që të bëj kallzim penal për kushërinjtë e mi, nuk mund të akuzohet për këtë.
Tahiri është i mbytur në llumin e drogës së Shqipërisë, nëse marrim anën joligjore, por duhej të kapej me prova ligjore, a ka dashur prokuroria që kjo të ndodhte, këtu ngrihej pikëpyetja.
Provat për implikimin e Tahirit kanë qenë, po sesa u janë servirur gjykatës kjo është një çështje tjetër. Ka qindra taksistë që janë në burg, se kanë transportuar trafikantë dhe gjenden sot në burg, kur vjen puna te një person kaq i rëndësishëm mungonin provat e dokumentuara.
Vetingu është bërë vetëm për të selektuar njerëzit e tyre në postet kyçe”, deklaroi Pjetra.

