Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit Eduart Merkaj, në një deklaratë për media bëri bilancin e 9 mujorit të këtij viti për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar dhe për menaxhimin e qarkullimit ndërkufitar të shtetasve dhe mallrave.
Merkaj deklaroi se janë arrestuar duke kaluar kufirin 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara.
Për kalim në kufirin jeshil janë proceduar penalisht 819 shtetas, ndërsa janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Gjatë sezonit veror, Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë pushuesve në 111 raste, si dhe ndaj 82 mjeteve lundruese në det në raste emergjente me një numër prej 259 personash në bord dhe janë parandaluar nga patrullat e policisë kufitare 5 raste konflikti mes pushuesve.
Gjithashtu janë bllokuar 12 mjete lundruese që shkelën perimetrin e sigurisë duke rrezikur jetën e pushuesve dhe janë vendosur 26 masa administrative me gjobë ndaj mjeteve lundruese për shkelje të rregullave të lundrimit në vlerën 1 854 000 lekë.

