Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka habitur me deklaratën e tij teksa ka pranuar hapur hapur në emisionin “Top Talk” në Top Channel se votat në Shqipëri janë blerë edhe për 100 euro. Ai komentoi edhe “të fortët e PS” që dolën në përgjimet e “Bild”, duke theksuar se kjo sjellje ka ardhur si kundër-reagim.
“Ti mendon se në Shqipëri njerëzit nuk e dinë se sa herë është shitur vota, sa herë blerë vota dhe sa herë është vjedhur vota. E kemi thënë dhe ka patur zona, mesatarja ka qenë 50 euro, por për shkak të përplasjes së egër ka vajtur edhe në 100 euro. Dhe e dinin të gjithë. Dikush thotë se “si ka mundësi që PS-së i vajtën disa të fortë?”, sepse ishin disa të fortë që vinin dhe rrëmbenin kutinë e votimit, na rrihnin komisionerët, nuk po flas për ’96-ën, por për më vonë. Si rezultat i forcës, si rezultat i vjedhjes, si rezultat i egërsisë, çdo aksion ka një kundër aksion. Nuk filloi historia e Shqipërisë në këto dy zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet janë blerë në Shqipëri. Turpi më i madh është të ulërasë për vjedhje hajduti”, u shpreh Majko.

