Një 46-vjeçare M. Sh., nga Fieri ka rënë në pranga ditën e sotme nga efektivat e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije për mosdeklarim të të hollave në kufi.
Asaj iu gjetën 41.210 euro të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të afërmve të kësaj shtetase.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, efektivat e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasen M. Sh., 46 vjeçe, banuese ne Fier.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë kësaj shtetase nga ana e shërbimeve të policisë kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore, iu gjetën të fshehura në çantë dhe në trup një sasi prej 41.210 euro të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të afërmve të kësaj shtetase.
Në vendngjarje kanë mbërritur Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare ne D.V.P. Gjirokastër, të cilët bënë sekuestrimin e shumës së eurove dhe në bashkëpunimin me Prokurorinë filluan procedimin penal ndaj 46-vjeçares për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

