Një 18-vjeçare shqiptare është zhdukur pa gjurmë në Itali. Ajo quhet Lila Mile dhe banon me familjen e saj në Fasano në Itali. Kohët e fundit, sipas familjes ajo ka qenë në kontakt në Snapchat me një të ri shqiptar. Ditën e fundit që ka dalë nga shtëpia mbante veshur pantallona të bardha, këmishë të kuqe dhe këpucë të zeza. Ajo ka flokë të gjatë ngjyrë kafe, sy të errët dhe është e gjatë rreth 1.50 m. Ajo ka marrë dokumentet me vete, pasaportën, por nuk ka me vete as celularin dhe as para.
Prindërit dhe vëllezërit e kërkojnë atë që nga ajo ditë që nuk është kthyer më dhe kanë bërë edhe denoncimin në polici.
Vëllai i saj tregon se kur ka hyrë në profilin e të motrës ka konstatuar se ajo kishte komunikuar për disa muaj me një djalë në Shqipëri, por familja nuk mendon se ajo mund të jetë larguar për të takuar atë.
“Ishte hera e parë që ajo largohet nga shtëpia – thotë Giorgio, vëllai, – ajo nuk del kurrë vetëm, e bën gjithmonë me prindërit ose me vëllezërit. Nuk ka pasur asnjë problem, asnjë grindje, vetëm atë ditë ishte pak e dëshpëruar pasi kishte bërë një vizitë mjekësore, por që nuk ishte asgjë shqetësuese”- thotë ai.
Vëllai tregon se herën e fundit, sipas dëshmive ata e kanë parë të hipte në një Peugeot gri 107. Familja kërkon ndihmë e po ashtu edhe policia të kontaktojnë për këdo që ka informacione.


