Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit të Prokurorit të Përgjithshëm, Artur Selmani. Selmani është njëri nga ish-kandidatët që garoi vitin e kaluar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Pas filtrimit të trefishtë që i bëri vetting-u, prokurori në organin qendror të akuzës u vu në vështirësi pas gjetjeve të DSIK që konstatojnë se 10 vite më parë në llotaritë sportive, prokurori ka fituar 10 mijë dollarë. “Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.6/2019, datë 07.02.2019, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Artur Selmani kundër vendimit nr. 82, datë 26.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyre unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 82, datë 26.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Selmani.
Ky vendim është përfundimtar me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 14.10.2019.

