Gazetari Erl Murati, deklaron, se Reforma në Drejtësi deri më tani ka qenë shumë e ngadaltë, megjithatë po jep rezultate, pasi ka “djegur” shumë prokurorë e gjyqtarë.
“Reforma në Drejtësi është deri tani e ngadaltë. Nëse do të zbatohet rreptësisht ligji i Vettingut, 800 prokurorë e gjyqtarë do të ikin. Dhe kjo ka ndodhur deri tani. Por, është një fakt interesant se një pjesë e tyre druhen dhe të kandidojnë për institucionet e reja të drejtësisë, pasi kanë frikë nga hetimi”, është shprehur Murati.
Ai shton se Struktura e Posaçme (SPAK), që pritet të ngrihet së shpejti, nuk do të nisë hetimin nga “koka” e problemit, pra nga politikanët e korruptuar.
“Ka një shqetësim me pritshmëritë se çfarë do të bëjë SPAK. Mendoj se ka një pritshmëri më të lartë se ç’duhet. Është krijuar ideja sikur SPAK do shkojë direkt te politikanët, por janë rreth 170 dosje te Krimet e Rënda, që do transferohen te SPAK. Me ngritjen e SPAK, gjithë zyrtarët e hipotekës, kadastrës, do jenë në hetimin e kësaj strukture. Pra, mendoj se SPAK nuk do të nisë te “koka” e problemit, te korrupsioni i ministrave, ish-ministrave etj”, tha Murati për News 24.

