Avokati i Agim Kajmaku ka folur në lidhje me çështjen e ditës, ku u dha shkarkimi i kryebashkiakut të Vorës.
Avokati Shehu tha për Report Tv se nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga shteti grek lidhur me rastin e Kajmakut.
Sipas tij, Kajmaku e ka deklaruar në formularin emrin Jorgo Toto. Ai tha se klienti i tij ka marrë pafajësinë nga Gjykata e Janinës.
“Kajmaku do t’i shkojë të vërtetës deri në fund dhe po paraqesë ankimim brenda 45 ditëve në Gjykatën Administrative. Nuk ka letër këmbimi nga shteti grek. Është dërguar kërkesa por nuk ka një përgjigje nga shteti grek. Kur kërkohen informacione nga organe të tjera kërkohet që t’i drejtohesh prokurorive përkatëse. Një nga ato veprime që nuk është kryer është edhe vënia në dispozicion e dispozitave ligjore.
Jorgo Toto është shpallur i pafajshëm në Greqi. Ka marrë një vendim pafajësie. Hetimi dhe procedimi janë kryer në mungesë. KQZ e disponon dokumentin që ka marrë pafajësi. Është zhvilluar një procedurë hetimore për përdorim të monedhave false. Është proceduar dhe më pas me vendim të formës së prerë është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Janinës. Duhet të kemi parasysh se ai është shpallur i pafajshëm. Dënimi i tij nuk duhet të ishte deklaruar. Për ato vepra që janë të diktuara në dispozitë duhet të bëhet deklarimi. Ai ka deklaruar të gjithë ato gjëra që diktoheshin nga dispozitat e ligjit në fjalë. Sot ishin përballë KQZ. Denar Biba e tha qartë se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë është në kundërshtim me ligjin, por nuk mund të dilet kundër këtij vendimi. Formulari përcakton se duhet bërë deklarim të arrestimeve. Kajmaku nuk e ka shkelur ligjin. Vendimi i Kuvendit nuk të barazohet me ligj.
Nuk mund të shkosh në burg se do politika, por duhet të kesh shkelur ligjin. Deri më tani nuk ka shkuar asnjë në burg për këtë çështje”, u shpreh Shehu.

