Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, përmes një letre drejtuar bashkive, u kujton atyre shlyerjen e detyrimeve financiare që kanë akumuluar, në të kundërt do t’i propozohet Këshillit të Ministrave caktimi i administratorit.
Sipas këtij udhëzimi, administratori, në bashkëpunim me kreun e njësisë vendore, do të hartojë një plan pune për evidentimin e nevojave minimale që ka njësia, e më pas do të nisë proçesin e negociimit të borxhit dhe shlyerjes së tij me palët e treta.
Financat po ashtu u kërkojnë bashkive që të reduktojnë dhe rishpërndajnë fondet në rastin që nuk kanë buxhet për të kryer pagesat e prapambetura.
Plani i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është kundërshtuar nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe ekspertët e ekonomisë.
Administratori, sipas drejtorit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali dhe ekspertit të ekonomisë Zef Preçi nuk mund të nxjerrë bashkinë nga kriza.
Haxhimali thekson:
“Vendosja e një administratori për të nxjerrë nga kriza bashkitë më duket një ndërhyrje shumë e tepërt sepse zhvlerëson potencialin dhe kapacitetin moral e të zgjedhurve në bashki. Nga ana tjetër kjo nuk nxjerr bashkinë nga kriza financiare”, tha ai.
Ndërsa Preçi e sheh këtë plan të Ministrisë si një shkelje të autonomisë vendore.



