TË FUNDIT

Rezistenca e banorëve të “Astirit” mbush një vit, sot protestuan ndryshe

Si sot, një vit më parë banorët e “Astirit” nisën protestën e tyre kundër projektit të Unazës së Re, i cili parashikon shembjen e banesave të tyre për të zgjeruar rrugën.

Afera e Unazës së Re, u denoncua fillimisht në një emision, ku u zbulua se një kompani fantazmë, kishte fituar tenderin për rindërtimin e këtij segmenti dhe paratë do të shkonin në Delaware të SHBA-së.

Mediet arritën të zbulonin se kompania DH Albania, kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Delaware dhe të gjithë dokumentacionin e dorëzuar në QKB.

Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit të Delaware, konfirmoi më pas këtë mega skandal, për të cilin ende nuk ka një përgjegjës.

Me moton “mbrojmë familjet tona”, banorët sot kanë zgjedhur që të protestojnë ndryshe! Në një video- projektor, ato kanë bërë një përmbledhje të momenteve më kyçe të protestave të tyre përgjatë këtyre 12 muajve dhe më pas kanë nisur fjalimet, ku nuk kanë munguar akuzat për qeverinë e kryeministrit Edi Rama duke e etiketuar atë si “qeveria e krimit”.

Kjo ka qenë një nga protestat më afatgjata dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e saj, pasi banorët të mbështetur edhe nga opozita e bashkuar, dalin çdo mbrëmje në rrugë dhe bëjnë thirrje ndaj qeverisë për të plotësuar kërkesat e tyre.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat