Shefja e re e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun dhe shefi në ikje, Jan Kees Martijn, kanë deklaruar gjatë një interviste të përbashkët për Monitor, se deficiti buxhetor i Shqipërisë shkon këtë vit përtej nivelit 5% të PBB-së, nëse kriza zgjidhet në 6-mujorin e dytë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi së fundi se ekonomia e Shqipërisë do të pësojë një rënie me 5% këtë vit. Në çfarë sektorësh do të jetë më e mprehtë kjo rënie?
Projeksionet e fundit të publikuara mbi ecurinë e pandemisë COVID-19, tregojnë se për vitin 2020 ekonomia globale do të tkurret me 3%, dukshëm me keq se gjatë krizës financiare të vitit 2008-2009. Në skenarin fillestar, i cili supozon që kriza do të zgjidhet në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 dhe se rikuperimi do të vijojë gradualisht, parashikohet që ekonomia globale t’i kthehet rritjes me 5.8% më 2021. Sipas këtij skenari, aktiviteti ekonomik do të normalizohet, i mbështetur edhe nga politikat nxitëse, por sidoqoftë ekzistojnë rreziqe thelbësore për rezultate jo të favorshme.
Shqipëria do të jetë shumë e varur nga masat e lehtësimit, që do të ndërmerren nga partnerët në rajon dhe më gjerë dhe sidomos nga Italia. Sektorët më të prekur do të jenë turizmi, i cili shënoi rritje të shpejtë vitet e fundit në eksportin e shërbimeve. Një pjesë e madhe e eksporteve shqiptare është duke përjetuar rënie të shpejtë si pasojë e masave bllokuese nga Italia dhe mungesës së kërkesës nga vendet partnere.
Çfarë implikimesh do të ketë rënia ekonomike në treguesit e punësimit dhe ato të varfërisë?
Fatkeqësisht, barra e rënies ekonomike është më e rëndë për ata që preken më shumë. Për të mbrojtur këto grupe, qeveria duhet të luajë një rol kryesor nëpërmjet stimujve fiskalë për të mbështetur punësimin dhe për të ofruar mbështetje financiare për ata që kanë nevojë.
Qeveritë gjithashtu me të gjitha mundësitë duhet t’i sigurojnë sistemit shëndetësor mjetet e nevojshme për trajtimin e pandemisë, por burimet financiare publike të qeverisë janë të kufizuara. Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo mbështetje që qeveria siguron gjatë kësaj kohe të vështirë të adresohet për ata kanë nevojat më të mëdha. FMN parashikon që edhe nëse ekonomia rimëkëmbet në 2021 (bazuar në supozimin se masat e bllokimit mund të marrin fund gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020) niveli i PBB-së në 2021 do të mbetet shumë më poshtë, se sa do të kishte qenë pa krizën. Treguesit e varfërisë ka të ngjarë të përkeqësohen gjithashtu.
A do të akordojë FMN financim përtej kësaj shume edhe nëpërmjet instrumenteve të tjerë për të zbutur sadopak efektet e krizës?
Ne mbetemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet gjatë kësaj kohe të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë sipas nevojës në formën e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve, ose përmes një programi tjetër financiar, nëse do të jetë e nevojshme.
Në deklaratën e fundit FMN u shpreh se, “për të kufizuar ndikimin e COVID-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme deficiti fiskal në 2020”. Sa mund të jetë ky zgjerim?
Para së gjithash, më lejoni të them, se ne mbështesin plotësisht qasjen e autoriteteve për të rritur përkohësisht deficitin fiskal dhe borxhin publik në vitin 2020, në shërbim të lehtësimit të ndikimit të pandemisë COVID-19. Ndërsa ekonomia po kontraktohet, shumë biznese dhe familje do të varen nga mbështetja financiare që ofron qeveria.
Kjo mbështetje është e bazuar në ligjin organik të buxhetit, i cili ka një klauzolë që lejon zgjerimin e deficitit në situata të jashtëzakonshme. Parashikimet e sakta janë të vështira në këto kohë të pasigurta, ku ngjarjet zhvillohen me shpejtësi, por presim që për shkak të mangësive të të ardhurave dhe rritjeve të shpenzimeve, deficiti këtë vit do të jetë më i madh se 5% e PBB-së.
Çfarë plani sugjeron FMN për të mbështetur ekonominë, në mënyrë që të zbuten falimentet dhe papunësia?
Shumë vende të botës kanë vepruar menjëherë për të mbështetur ekonominë dhe për të kufizuar rënien e punësimit. Mbështetja është adresuar për ata që kanë humbur si pasojë e masave kufizuese dhe rënies ekonomike.
Masat janë të ndryshme, duke përfshirë normat më të ulëta të interesit, shtyrjen e taksave, mbështetje me likuiditetit dhe ofrimin e garancisë sovrane për bizneset dhe familjet e prekura.
Autoritetet shqiptare kanë adoptuar një qasje të ngjashme. Këshilla jonë është që gjatë hartimit të këtyre masave, duhet pasur kujdes të veçantë që masat mbështetëse të adresohen te më të prekurit, të jenë të përkohshme dhe shumë transparente. Është e rëndësishme të sigurohet që paratë publike do të përdoren me mençuri për të mbështetur familjet më të rrezikuara dhe ato biznese ose sektorë që preken më shumë nga kriza.
Qeveria shqiptare planifikon të rrisë deficitin dhe borxhin në mënyrë që të përballet me pasojat e Covid-19. Nëse një valë e re infeksioni mund të kthehet në të ardhmen e afërt, dhe amortizatorët fiskalë janë ezauruar – si mund të përballet vendi me këtë situatë?
Autoritetet shqiptare me të drejtë po lejojnë që deficiti fiskal të rritet, në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi i pandemisë, dhe ata kanë qenë proaktivë në sigurimin e financimit shtesë duke iu afruar partnerëve ndërkombëtarë dhe duke iu drejtuar tregjeve të vendit. Financimi i miratuar së fundmi nga FMN nën RFI është një shembull i kësaj. Partnerë të tjerë ndërkombëtarë gjithashtu janë të gatshëm të ndihmojnë Shqipërinë për të zbutur ndikimin e krizës, ashtu si ata ishin të gatshëm të ndihmonin Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit.
Nëse kriza rezulton të jetë më e rëndë ose të zgjasë më shumë sesa pritej, do të nevojitet më shumë veprim dhe do të jetë më e nevojshme mbështetja ndërkombëtare. Duke parë më tej, pasi kriza të ketë kaluar, do të jetë e rëndësishme që vendi të rivendosë amortizatorët e vet fiskale për t’u përgatitur për goditjet e mundshme në të ardhmen. Në përgjithësi, në të gjithë botën, vendet dhe organizatat ndërkombëtare do të duhet të përgatiten për valë shtesë të mundshme të këtij virusi ose të urgjencave të tjera shëndetësore.

