Qeveria gjermane thotë se lideri opozitar rus, Alexei Navalny, është helmuar me një agjent nervor Novichok.
Testet e toksikologjisë kanë dhënë provë të qartë të një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok.
Opozitari rus u dërgua në Berlin për mjekim, pasi u sëmur papritur gjatë një fluturimi në Rusi, muajin e kaluar.
Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, njëherësh një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan, duke udhëtuar nga Siberia në Moskë.
Aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, në mënyrë që Navalny të dërgohet në spital.
Pas spitalit siberian, ai më vonë u transferua në një spital në Berlin, ku mjekët javën e kaluar kanë thënë se ka mundësi që Navalny është helmuar.
Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel ka thënë të mërkurën se testimet e kryera në spitalin ushtarak gjerman kanë treguar shenja “të një agjenti nervor nga grupi Noviçok”.
Ekipi i Navalnyt dyshon se ai është helmuar përmes një çaji që ka pirë në aeroport, përpara se të nisej drejt Moskës.
Po çfarë janë agjentët Novichok?
Emri i tij në rusisht ka kuptimin hyrje e re dhe u referohet një grupi gazesh nervore të zhvilluara në Bashkimin Sovjetik të viteve ’80-’90. Këto gaze njihen ndrushe si armët kimike të gjeneratës së katërt dhe janë zhvilluar në kuadër të programit sovjetik të koduar “Foliant”. Në vitin 1999, zyrtarë amerikanë të mbrojtjes udhëtuan në Uzbekistan për të ndihmuar në shkatërrimin e një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të armëve kimike të ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas njërit prej tyre, rusët e kanë përdorur këtë fabrikë për të prodhuar dhe testuar gazet e llojit Novichok, agjentë nervorë të krijuar enkas për t’u shpëtuar kontrolleve të inspektorëve ndërkombëtarë.
Një prej gazeve të këtij grupi, pikërisht A-230, raportohet se është 5-8 herë më toksik se agjenti nervor VX apo sarina. Duhet të kujtojmë këtu se XV është i njëjti gaz që u përdor për të vrarë vëllain e Kim Jong-unit vitin e kaluar.

