Menjëherë pas lajmit të qeverisë gjermane se lideri opozitar rus ishte helmuar me agjent nervor Noviçok, Merkel zhvilloi një konferencë ku dënoi ashpër këtë ngjarje.
Merkel e cilësoi liderin opozitar rus viktimë të një krimi, pasi ai është kritikuesi më i madh i presidentit Putin.
“Qeveria federale gjermane dënon ashpër helmimin e Alexej Navalnyt. Rusia duhet të pranojë këtë”, shprehet ndër të tjera Merkel.

Reagimet e ashpra nuk munguan as nga ana e BE-së dhe SHBA-së.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nëpërmjet një reagimi në Twitter e quajti helmimin e Navalnyt në vendin e tij, një akt të neveritshëm dhe frikacak.
“Unë u informova nga Kancelarja Merkel se lideri rus i opozitës Navalny, u sulmua me një agjent nervor, në vendin e tij. Ky është një akt i neveritshëm dhe frikacak. Autorët e krimit duhet të sillen para drejtësisë”, shkruan von der Leyen.

Gjithashtu SHBA-ja shprehet “thellësisht e shqetësuar” për rezultatin e analizave të Alexei Navalnyt. Nëpërmjet një deklarate në Twitter, SHBA thotë se do të punohet me ndërkombëtarët për vënien para drejtësisë të autorëve, si edhe do të kufizojnë fondet në Rusi për aktivitetet e tyre malinje.


