Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka cilësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen e sotme në SHBA për normalizim ekonomik.
Sipas Hotit, kjo marrëveshje çon një hap më pranë asaj marrëveshjeje përfundimtare që do të përmbyllet me njohje reciproke.
Më tej kryeministri thekson se kjo nuk është marrëveshja finale Kosovë- Serbi, si dhe zbulon se me Vuçiçin është diskutuar edhe në SHBA për marrëveshje politike.
”Jemi një hap më pranë një marrëveshjeje politike. Kjo nuk është marrëveshje finale, por është marrëveshje shumë e rëndësishme. Me Vuçiçin kemi diskutuar edhe për një marrëveshje politike. Bisedimet do të vijojnë në Bruksel. Për të diskutuar për njohjen dhe marrëveshjen përfundimtare.”- tha Hoti për Zërin e Amerikës.
Nga ana tjetër, marrëveshja ekonomike e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë u përshëndet nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Mustafa shkruan se qeveria Hoti arriti për pak javë ta ribëjë Kosovën partner të besueshëm të SHBA dhe BE-së.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një statusi në Facebook përshëndet marrëveshjen e nënshkruar në Uashington.
“E përshëndes Marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë!
Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar.
Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet!
Faleminderit President Trump!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Haradinaj.

